Çdo pacient ka të drejtë të përdorë shërbimet tona, pa dallim gjuhe, besimi apo përkatësie. Ne ofrojmë informacion të detajuar mbi trajtimet dhe diagnostikimet për të ndihmuar pacientët të marrin vendime të informuara mbi shëndetin e tyre.
Pacientët kanë të drejtë të marrin informacion të qartë dhe të plotë mbi trajtimet, rreziqet, përfitimet dhe alternativat e mundshme. Ata mund të kërkojnë kopje të të dhënave të tyre mjekësore dhe të vendosin nëse duan të pranojnë apo të refuzojnë trajtimin pas një informimi të plotë.
Pacientët kanë të drejtë të informohen mbi ekipin mjekësor që kujdeset për ta dhe, nëse është e nevojshme, të kërkojnë ndërrimin e personelit që i trajton.
Në përputhje me rregullat dhe ligjet në fuqi, pacientët mund të zgjedhin ose të transferohen në një tjetër institucion shëndetësor.
Pacientët kanë të drejtë të refuzojnë trajtimin, përveç rasteve kur ligji kërkon ndjekjen e tij. Ata marrin përsipër përgjegjësinë për pasojat e mundshme të këtij vendimi.
Çdo pacient trajtohet në kushte të përshtatshme për të garantuar privatësinë. Të dhënat shëndetësore ruhen të sigurta dhe nuk ndahen pa pëlqimin e pacientit ose një vendim gjyqësor.
Çdo pacient meriton të trajtohet me respekt, kujdes dhe mirësjellje, duke ruajtur dinjitetin e tij në çdo situatë.
Pacientët mund të kërkojnë konsultë shtesë për diagnozën ose trajtimin e tyre, duke marrë një opinion të dytë nga një specialist tjetër.
Klinika jonë garanton masa të rrepta sigurie për pacientët, vizitorët dhe stafin. Kujdes i veçantë u kushtohet fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara.
Pacientët mund të pranojnë vizitorë dhe të kenë një shoqërues gjatë trajtimit, në përputhje me rregullat e klinikës.
Në rast të pakënaqësisë, pacientët dhe familjarët e tyre mund të paraqesin ankesa apo sugjerime, të cilat do të shqyrtohen me kujdes për përmirësimin e shërbimeve tona.
Çdo pacient ka të drejtë të informohet mbi rregullat dhe procedurat e institucionit ku po trajtohet.
Pacientët informohen paraprakisht mbi çmimet e trajtimeve dhe kanë të drejtë të marrin një faturë të detajuar mbi shërbimet e kryera.
Pacientët duhet të ofrojnë informacion të saktë dhe të plotë mbi gjendjen e tyre shëndetësore, në mënyrë që mjekët dhe infermierët të mund të sigurojnë trajtimin më të përshtatshëm.
Pacientët janë të detyruar të ndjekin planin e trajtimit të rekomanduar nga mjeku dhe të lejojnë personelin e klinikës të zbatojë masat e nevojshme për kujdesin e tyre shëndetësor.
Nëse një pacient vendos të refuzojë trajtimin e rekomanduar, ai mban përgjegjësi për pasojat e këtij vendimi.
Të gjithë pacientët duhet të respektojnë rregullat dhe procedurat e institucionit për të siguruar një ambient të sigurt dhe të rregullt për të gjithë.
Pacientët duhet të tregojnë kujdes për të mos shqetësuar të tjerët dhe të respektojnë masat e klinikës në lidhje me qetësinë, vizitat dhe ndalimin e duhanit.
Pacientët dhe familjarët e tyre janë të detyruar të ndjekin masat higjienike dhe rekomandimet për të parandaluar përhapjen e infeksioneve brenda klinikës.
Pacientët janë të detyruar të kryejnë pagesat për shërbimet mjekësore të marra. Nëse shkaktojnë dëmtime të qëllimshme në pronën ose pajisjet e klinikës, ata mbajnë përgjegjësi financiare për riparimin e tyre.
Pacientët duhet të kufizojnë numrin e vizitorëve dhe të sigurohen që ata respektojnë rregullat e klinikës, si oraret e vizitave dhe ndalimi i sjelljes së ushqimeve apo përdorimit të sendeve personale të pacientëve të tjerë.
Ky dokument është përgatitur në përputhje me Kartën për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Pacientit, UA 0/52013 të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës.
KGJS™ All rights reserved